Shkolla e Magjistraturës, më datë 11 maj 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me Temë: “Padia për zgjidhjen e pasojave financiare në konfliktet gjyqësore midis administratorit dhe shoqërisë. Natyra e vendimmarrjes së organeve të shoqërisë në rastin e emërimit dhe shkarkimit të Administratorit nga shoqëritë e kapitalit. Natyra e raportit mes shoqërisë dhe administratorit sipas LSHT-së. A është një marrëdhënie që rregullohet nga dispozitat e Kodit të Punës apo ato të LSHT-së. Natyra juridike e aktit të shkarkimit të administratorit dhe zgjidhja e pasojave që vijnë nga kontrolli i tij”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Alma Hicka; Alma Kodraliu
Lehtësues: Kostandina Kuro
Qëllimi i këtij trajnimi është: Trajnimi synon aftësimin e gjyqtarëve që gjykojnë çështje me natyrë tregtare, veçanërisht gjyqtarë të seksionit tregtar, në lidhje me trajtimin e padive me objekt zgjidhjen e pasojave financiare të ngritura nga administratori i shoqërisë, për shkak të shkarkimit të tij nga detyra.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Administrimi dhe përfaqësimi i shoqërive të kapitalit. Natyra juridike e organit të administrimit, në funksionin e brendshëm të shoqërisë. Emërimi dhe shkarkimi i administratorit.
- Përgjegjësitë e Administratorit. Parakushtet e përgjegjësisë dhe pasojat. Natyra juridike e marëdhënies së punës administrator – shoqëri, sipas LSHT. Dallimi nga marëdhënia juridike e punës rregulluar nga Kodi Punës. Cila është natyra e marëdhënies së punës që ai krijon me shoqërinë? Cili është roli i administratorit në vendimmarrjet e tij si organ administrimi? Cila është natyra e përfaqësimit të administratorit dhe kufizimet në funksionin e brendshëm dhe të jashtëm të saj? A prek statusin e organit të administrimit largimi nga detyra i administratorit në shoqëritë e kapitalit?
- Teoritë dominuese mbi përfaqësimin e shoqërisë nga ana e administratorit dhe pasojat në funksionin e jashtëm të shoqërisë.
- Paditë për shpërblimin e administratorit dhe zgjidhja e pasojave financiare nga gjykata. Kërkimet e shoqërisë dhe palëve të treta, si dhe të drejtat e ortakëve të pakicës ndaj administratorëve. Elaborimi i praktikës gjyqësore për çështjet me shkak ligjor zgjidhjen e pasojave financiare në paditë me objekt shpërblimin e administratorit. A konsiderohet administratori si i punësuar në shoqëri?
- Cila është natyra e padisë dhe shkaku ligjor për shpërblimin e administratorit. Si do të zgjidhet konflikti mbi bazën e kujt parimi të së drejtës? Si do të përcaktohet nga gjykata masa e shpërblimit? A i kanë zgjidhur drejt gjykatat në praktikat gjyqësore, çështjet e natyrës dhe masës së shpërblimit të administratorit? A duhet që të ndryshojë praktika e deritanishme?
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë.





Shkolla e Magjistraturës